Nga asambleja e Partia Socialiste e Shqipërisë në Fier, drejtuesja politike e qarkut, Belinda Balluku, deklaroi se mazhoranca ka arritur të sigurojë stabilitet politik gjatë viteve të qeverisjes.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi se në 14 vitet e fundit, qeveria shqiptare ka prodhuar një nga elementët më të rëndësishëm për vendin: stabilitetin politik.

“Sot kemi një produkt që shpesh harrohet, stabilitetin politik, i cili është më i çmuari. Ky stabilitet është ndërtuar me shumë punë dhe përpjekje, por mbetet gjithmonë i rrezikuar, ndërsa forca të tjera politike krijojnë destabilitet të inskenuar”, u shpreh ajo.

Balluku u ndal edhe te ndikimi i imazhit të vendit në ekonomi, duke theksuar rëndësinë e sektorit të turizmit dhe komunikimit publik.

Sipas saj, nisma “Punët e Shqipërisë” është një përgjegjësi që duhet të mbartet nga deputetët dhe çdo anëtar i Partisë Socialiste, për të përforcuar perceptimin pozitiv të vendit brenda dhe jashtë tij.