Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas mbylljes së papritur dhe pa debat të seancës plenare të sotme në Kuvend.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se mbyllja e seancës pa u zhvilluar diskutimet për çështjet në rendin e ditës tregon se “shteti ka rënë”, ndërsa theksoi se institucioni më i rëndësishëm kushtetues, Kuvendi, është jashtë funksionit.

“E paprecedentë kjo që po ndodh në Kuvend, ku PS kërkon të asgjësojë Parlamentin. E drejta e fjalës është thelbësore në një Parlament funksional. Nëse hidhet në erë Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit vetëm sepse deputetët ushtrojnë të drejtën e fjalës, duke mbyllur Kuvendin dhe duke mos lejuar debat, praktikisht ka rënë shteti sepse organi kyç kushtetues ka dalë jashtë funksioni.

Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një mazhorancë që ka 83 deputetë, i ikën debatit dhe e trajton grupin e vet parlamentar si memec dhe karton-ngritës. Frika e mazhorancës ndaj debatit parlamentar, tregon edhe cilësinë e qeverisjes. S’kanë ide, s’kanë bilanc, prandaj nuk duan debat’, shprehet Bardhi.