Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi me tone kritike ndaj procesit të riorganizimit të komisioneve parlamentare.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi e cilësoi mënyrën sesi po procedohet me ndarjen e re të komisioneve si një shkelje të qartë të rregullores së Kuvendit. Sipas tij, është e papranueshme që një draft-propozim t’i dërgohet seancës plenare për miratim brenda më pak se 24 orëve, pa kaluar më parë në shqyrtim të detajuar.
Ai theksoi se heqja e Komisionit për Integrimin Evropian është një veprim i paprecedentë, që sipas tij dërgon një mesazh të gabuar në drejtim të partnerëve ndërkombëtarë.
“Grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kuvendit, të bëjë një studim sesi janë të organizuara komisionet parlamentare në të gjitha vendet e rajonit dhe si janë të organizuara në disa prej vendeve anëtare të BE.
Në të gjitha vendet e Ballkanit sipas studimit, ka dhe komision për punët e jashtme dhe për integrimin, dhe Shqipëria bëhet i pari vend që jo vetëm përjashton opozitën nga integrimi, por nuk e ka një komision për integrimin.
Ndryshimet në rregullore ndjekin të njëjtën procedurë me shqyrtimin e projektligjit, dhe nuk mund të bëhen në më pak se 24 orë”, tha ai.
“Para 5 minutash kemi marrë draftin për ndryshimet e rregullores së Kuvendit. Sa i takon asaj që kemi dëgjuar në Asamblenë e PS, vërejmë ngushtim të rolit drejtues që kishte opozita. Një komision i drejtuar nga opozita, është ndarë në tre komisione. Pra PD nga 3 që komisione, tan i bie të drejtojë një komision e gjysmë”, shtoi ai.