Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë pritet të shqyrtojë sot kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës, pas incidenteve dhe përplasjeve që shoqëruan seancën plenare të një dite më parë.
Mbledhja është parashikuar të zhvillohet online, në orën 10:00, ndërsa socialistët kërkojnë masa të ndryshme për ligjvënësit demokratë, në varësi të veprimeve për të cilat i akuzojnë.
Për gjashtë deputetë, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Xhaferri, PS ka kërkuar përjashtim nga punimet parlamentare për dy muaj, duke pretenduar se ata janë përfshirë në akte dhune fizike gjatë seancës.
Sipas pretendimeve të socialistëve, Flamur Noka është përfshirë në përplasje fizike me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ndërkohë, deputeti Fidel Kreka akuzohet se ka goditur ish-ministrin Ervin Hoxha me pajisjen e votimit.
Për 14 ligjvënës të tjerë të Partisë Demokratike, socialistët kërkojnë pezullim 10-ditor nga aktiviteti parlamentar, me argumentin se kanë penguar zhvillimin e seancës duke bllokuar foltoren.
Në këtë grup përfshihen Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Seanca e një dite më parë u karakterizua nga tensione mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, me bllokim të foltores dhe incidente në sallën e Parlamentit.
Megjithatë, pavarësisht situatës së krijuar, Kuvendi arriti të miratonte gjashtë projektligje dhe tri projektvendime të përfshira në rendin e ditës.
Mes vendimeve të votuara ishte edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do të merret me fazën e dytë të Reformës Territoriale.
Tashmë, vendimmarrja për masat disiplinore ndaj deputetëve demokratë i takon Sekretariatit të Etikës, i cili do të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesit e mazhorancës.
