Në kuadër të nismës “Prania Besnike”, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste janë angazhuar edhe këtë të premte në takime me qytetarët në terren, duke publikuar në rrjetet sociale aktivitetet dhe vendndodhjet ku ndodhen.

Megjithatë, ndryshe nga pjesa më e madhe e deputetëve socialistë, Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe nuk kanë publikuar takime me qytetarët gjatë kësaj dite.

Spiropali, e cila ka mbajtur më herët postin e ministres së Punëve të Jashtme, në postimin e fundit në Facebook ka zgjedhur të përditësojë foton e profilit, pa bërë të ditur ndonjë takim në terren.

Ndërkohë, Xhafaj ka publikuar si postim të fundit fotografi nga mbledhja e djeshme e komisionit parlamentar që ai drejton.

Sa i përket Erion Braçes, postimi i tij i fundit lidhet me problematikën e mbetjeve në zonën e Selitës, ku deputeti socialist ka reaguar gjatë mesditës së kësaj të premteje.

Në këtë mënyrë, tre deputetët nuk kanë bërë publike në rrjetet e tyre sociale takime me qytetarët në kuadër të angazhimit të sotëm të grupit parlamentar socialist.