Me konstituimin e Parlamentit të ri dhe zgjedhjen e Niko Peleshit si kryetar të Kuvendit, mazhoranca socialiste ka nisur menjëherë punën për të zbatuar objektivat e saj politike.

Porosia e dhënë nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS-së, për të reformuar funksionimin e Parlamentit, pritet të marrë formë që prej të hënës. Peleshi ka thirrur një takim me krerët e grupeve parlamentare më 15 shtator, ku do të diskutohen dhe dorëzohen propozimet për përbërjen e Byrosë së Kuvendit, sekretariatet, këshillin e rregullores dhe mandateve, si dhe delegacionet në organizatat ndërkombëtare.

Megjithatë, kjo ftesë shihet më shumë si një akt kortezie politike, sesa si hap për dialog të mirëfilltë, pasi socialistët duket se tashmë kanë marrë vendimet kryesore. Një nga lëvizjet e para është ndryshimi i strukturës së komisioneve parlamentare, të cilat pritet të shtohen nga 8 në 11. Për këtë arsye, të martën do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve për të shqyrtuar dokumentin që përcakton rregullat e funksionimit të Kuvendit. Projektvendimi për ndryshimin e komisioneve do të kalojë më pas për votim në seancën plenare të 16 shtatorit, ku pritet të miratohet me procedurë të përshpejtuar.

Ndryshimet parashikojnë edhe shkrirjen e Komisionit të Integrimit me atë të Jashtëm, duke i hequr opozitës një prej instrumenteve më të rëndësishme të betejës politike.

Pas përfundimit të këtij procesi, vëmendja do të zhvendoset te qeveria e re. Konferenca e kryetarëve, e cila pritet të thirret të mërkurën, do të përcaktojë kohën e debatit për kabinetin Rama 4 dhe programin e tij në dy seanca maratonë. Votimi për qeverinë pritet të zhvillohet të premten pasdite, pas së cilës kabineti i ri do të betohet në Presidencë, sipas procedurës kushtetuese.