Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kritikuar takimin mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar atë si një tjetër marrëveshje mes dy forcave kryesore politike në vend.

Përmes një reagimi, Shehaj pretendon se PS dhe PD po përdorin procesin e reformës si justifikim për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në funksion të interesave të tyre, pa marrë parasysh kërkesat për zgjedhje më demokratike.

Ai kritikoi gjithashtu praninë e një përfaqësueseje të Bashkimit Europian në tryezë, duke theksuar se kërkesat për përmirësimin e procesit zgjedhor nuk po marrin përgjigjen e duhur nga partitë pjesëmarrëse.

“Është i njëjti pazar 35-vjeçar. E njëjta tryezë, të njëjtat gjëra, të njëjtat figura”, u shpreh Shehaj.

Më tej, kreu i Partisë Mundësia akuzoi dy partitë se po hartojnë ndryshimet ligjore sipas interesave të tyre, ashtu siç, sipas tij, kanë vepruar gjatë tri dekadave e gjysmë.

“Ndryshojnë Kodin Zgjedhor sipas interesit të tyre, siç kanë bërë në këto 35 vjet”, deklaroi ai.

Në përfundim të reagimit, Shehaj u shpreh se qytetarët kërkojnë largimin e klasës aktuale politike dhe se asnjë marrëveshje për Kodin Zgjedhor nuk mund ta ndalë këtë kërkesë për ndryshim.

Deklarata e Shehajt:

I njëjti pazar 35-vjeçar. E njëjta tryezë, të njëjtat gjëra, të njëjtat figura. Përfshijnë edhe në këtë rast një përfaqësuese të Bashkimit Europian e cila me të drejtë kërkon ndryshime të kodit zgjedhor, por ndryshime për t’i bërë zgjedhjet më demokratike.

Por ata, me këtë pretekst, nuk dëgjojnë kërkesat fare që vijnë, por bëjnë pazarin e tyre. Ndryshojnë kodin zgjedhor sipas interesit të tyre, siç kanë bërë në këto 35 vjet.

Por këto nuk i ha më njeri, njerëzit duan ndryshimin, duan largimin e kësaj klase politike dhe sido që ta gatuajnë kodin zgjedhor, ndryshimin nuk e ndalin dot.