Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje sa i përket ngritjes së dy Komisioneve Hetimore për zgjedhjet e 11 majit, e cila u refuzua nga Partia Socialiste.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar se “duan të asgjësojnë Parlamentin siç bënë me zgjedhjet e 11 majit”.

Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës, për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me “McGonigal”, është një akt antikushtetues që asgjeson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar. Përmes këtij akti Edi Rama nuk asgjeson vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizmin.

Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument i transparencës, jo i bllokimit politik. Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane.

Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari, nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjesojnë edhe Parlamentin”, shkruan Bardhi.//TCH