Harta e re territoriale e propozuar nga demokratët, e cila parashikon ndarjen e Shqipërisë në 100 bashki, është përballur me kundërshtimin e parë në Kuvend.
Në diskutimet në komision, opozita kërkoi që propozimi i saj të shqyrtohej paralelisht me nismën e mazhorancës, e cila parashikon 46 bashki. Sipas demokratëve, ndarja e propozuar nga socialistët përmban elementë të kalkulimeve elektorale.
Mazhoranca e kundërshtoi kërkesën për shqyrtimin paralel të dy nismave, duke argumentuar se një procedurë e tillë do të zgjaste procesin dhe do të rrezikonte zbatimin e hartës së re territoriale për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Pavarësisht përplasjes për mënyrën e shqyrtimit të propozimeve, deputetët demokratë vijuan pjesëmarrjen në punimet e komisionit. Ata ishin të pranishëm edhe në seancën dëgjimore ku u dëgjuan përfaqësues të Kryeministrisë, të cilët mbrojtën modelin me 46 bashki.
Në dëgjesë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të shoqatave të bashkive, ndërsa debati për numrin dhe ndarjen e njësive vendore pritet të vijojë në Kuvend.
