Ka përfunduar numërimi i votave në tre qarqet jugore: Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, ku Partia Socialiste ka dalë fituese me diferencë të madhe ndaj rivalëve.

Në qarkun e Beratit janë numëruar të gjitha 275 kutitë. PS ka marrë 36,863 vota, që përbën 57.64%, duke siguruar 5 mandate. Koalicioni PD-ASHM renditet i dyti me 19,486 vota (30.47%) dhe merr 2 mandate.

Në Vlorë, ku ka mbetur vetëm një kuti pa numëruar, PS ka arritur 53,083 vota (58.73%), duke marrë 8 mandate. PD-ASHM ka 24,094 vota (26.66%) dhe siguron 4 mandate.

Ndërkohë në Gjirokastër, ku ka përfunduar numërimi në të gjitha 7 KZAZ-të, PS ka fituar me 62.2% të votave, duke mbajtur pozitat e saj në jug. PD-ASHM ka marrë 29.5% të votave, ndërsa partitë e vogla nuk kanë ndikuar në ndarjen e mandateve.

Pjesëmarrja në Gjirokastër ishte 39.2%, pak më e lartë se në vitin 2021, por shifrat tregojnë një ulje të popullsisë dhe interesit për votim. Lista e votuesve ka rënë nga 123 mijë në 115 mijë, dhe janë mbyllur 9 qendra votimi krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Ndërkohë edhe në Sarandë procesi i votimit është drejt përfundimit ku duket se PS fiton kunddrejt partive të tjera. PD ka marrë 3689 vota, PS ka marrë 7806 vota deri më tani.