Kryetarja e PS-së në Shkodër, Mirela Dodaj, ka komentuar deklaratën e ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila i kërkoi një ditë më parë kryeministrit Rama të ndërmarrë një aksion vetëpastrimi në radhët e partisë. Kryetarja socialiste e Shkodrës, me anë të një postimi në rrjetin e saj në Facebook, shprehet se vetëpastrimi duhet të nisë fillimisht nga Spiropali, duke i kujtuar se për vite me radhë ka qenë një nga figurat më të privilegjuara të PS-së.

“Elisa Spiropali, kur flet për meritokraci, demokraci dhe vetëpastrim, duket sikur po flet për një parti ku nuk ke qenë kurrë pjesë e vendimmarrjes. E vërteta është krejt ndryshe. Për vite me radhë keni qenë ndër figurat më të privilegjuara të Partisë Socialiste. Prandaj është e vështirë të kuptohet se kujt po i drejtohet thirrja juaj për vetëpastrim. Të tjerëve apo vetes?

Mbështes plotësisht qeverinë e Edi Ramës dhe reformat që kanë çuar Shqipërinë përpara, edhe në momentet kur ka qenë më e lehtë të bërtasësh sesa të marrësh përgjegjësi. Pikërisht për këtë arsye besoj se askush nuk duhet të sillet sot si gjykatës i të tjerëve, pasi ka qenë pjesë e pandarë e çdo procesi, çdo vendimmarrjeje dhe çdo problemi që sot kërkon të denoncojë. Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali. Sepse para se të kërkosh llogari nga të tjerët, duhet të japësh llogari për veten”, shkruan Mirela Dodaj.