Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste, ka arritur të sigurojë me një rezultat të fortë mandatin e tij të katërt. Por disa deputetë me karrierë të gjatë parlamentare dhe funksionarë të lartë politikë nuk fituan besimin e qytetarëve, duke ngelur kështu jashtë Parlamentit të ri.

Ndër më të vjetrit përmendim, Pandeli Majkon, një figurë e njohur dhe e respektuar te socialistët me një kontribut dhe vite të tëra pune te të majtët. Po ashtu Mimi Kodheli, gruaja e parë që u emërua në postin e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë në mandatin e parë të Ramës, nuk mundi që të grumbullonte mjaftueshëm vota për të kaluar kolegët e saj socialistë.

Konkretisht në qarkun e Tiranës, nga radhët e Partisë Socialiste, jashtë mbeten: Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Plarent Ndreca, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi dhe Toni Gogu.

Edhe në Shkodër, Benet Beci i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, nuk do të jetë pjesë e Kuvendit. Po ashtu edhe ish-ministrja Edona Bilali, ngeli jashtë. 

Ndërkohë, në Kuvend hyjnë emra të rinj dhe ende të panjohur për publikun, si Sara Mila në Elbasan kandidatja me më shumë vota në rang kombëtar, Zegjine Çaushi në Fier dhe Marjana Koçeku në Shkodër, e njohur si “Neomalsorja” në rrjetet sociale, kandidate e PS-së në listë të mbyllur.