Armiqësia që Nuredin Dumani kishte me shumë të kërkuarin Talo Çela, bëhej shkak për të sulmuar edhe njerëzit e tij më të afërt.

Sipas dëshmisë së Henrik Hoxhajt, Nuredin Dumani kishte në plan ekzekutimin e Altin Ndocit.

Sipas thënieve të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredini do ta vriste Ndocin pasi ishte pjesë e grupit të armikut të tij, Talo Çela.

Henrik Hoxhaj: Altin Ndocin nuk e kam takuar asnjëherë, e kam njohur vetëm nga thëniet e Dumanit. Nuredini më ka treguar një foto të tij, duke më thënë se kush është. Ishte një foto e ngjashme me të e një pasaporte. Në biseda kam dëgjuar prej tij se donte ta vriste, madje e ka mbajtur disa ditë në vëzhgim gjatë kohës së pandemisë, duke e survejuar edhe pranë banesës, por nuk ka arritur dot ta zbatojë planin.

Për ekzekutimin e Ndocit, ai më tha se do përdorte motorrin e një shoku të tij që ndodhej në burg. Me këtë motorr do të kryente vrasje, shkruan Ora News.

Gjatë zhvillimit te seancës Henrik Hoxhaj foli edhe për një prej të pandehurve, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Bëhet fjalë për Besian Xhixhën, që sipas Hoxhajt, kishte siguruar një sasi eksplozivi.

Henrik Hoxhaj: Unë isha me pushime në Shëngjin. Dumani më ka thënë se Besian Xhixha kishte siguruar eksplozivin me të cilin hodhën në erë banesën e Talo Çelës.

Për realizimin e dy vrasjeve Henrik Hoxhaj ka treguar se është paguar rreth 60 mijë euro.