Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur turizmin si një prej sektorëve ku Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm imazhin e saj ndërkombëtar, ndërsa tha se ambicia e qeverisë është që vendi të tërheqë vizitorë nga një treg gjithnjë e më global.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Euronews 2026, Rama foli për zhvillimin e turizmit, investimet dhe planet për vitet e ardhshme, duke argumentuar se Shqipëria po kalon nga një destinacion relativisht pak i njohur në një vend që vizitohet nga turistë nga kontinente të ndryshme.

I pyetur se përse turistët duhet të zgjedhin Shqipërinë, kryeministri u përgjigj se vendi tashmë është kthyer në një destinacion të frekuentuar, ndërsa theksoi se sfida është zgjerimi i mëtejshëm i këtij tregu.

Sipas Ramës, Shqipëria e nisi zhvillimin e turizmit shumë më vonë se disa prej vendeve fqinje. Ai solli si shembull Kroacinë, duke kujtuar se në periudhën kur ajo kishte krijuar profilin e saj turistik, Shqipëria dilte nga dekada izolimi komunist.

“Tani ka ardhur radha jonë”, deklaroi Rama, duke shtuar se objektivi nuk kufizohet vetëm te turistët evropianë. I pyetur se cili është tregu që Shqipëria synon të tërheqë, ai u përgjigj shkurt: “Bota”.

Kryeministri e lidhi rritjen e turizmit edhe me përpjekjen për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë. Sipas tij, kjo nuk mund të realizohet vetëm përmes promovimit, por kërkon transformimin e vetë vendit.

Në argumentimin e tij, Rama renditi sigurinë, mikpritjen, gastronominë dhe larminë gjeografike mes avantazheve që Shqipëria mund t’u ofrojë vizitorëve. Ai theksoi se në një territor relativisht të vogël turistët mund të kombinojnë bregdetin, lumenjtë dhe zonat malore gjatë të njëjtit udhëtim.

Rama foli gjithashtu për ndryshimin e numrit dhe të profilit të vizitorëve. Sipas shifrave që ai paraqiti gjatë intervistës, në fillimet e procesit që e cilësoi si transformues Shqipëria numëronte rreth 2 milionë turistë, shifër ku përfshiheshin edhe shqiptarët, ndërsa vitin e kaluar vendi arriti në 12 milionë vizitorë të huaj.

Kryeministri tha se tashmë mes turistëve që zgjedhin Shqipërinë ka vizitorë nga vende të largëta si Japonia, Australia dhe Kina, krahas tregjeve tradicionale evropiane. Ai veçoi gjithashtu rritjen e pranisë së turistëve spanjollë.

Në këtë kontekst, Rama tha se strategjia synon ta pozicionojë Shqipërinë në një treg ndërkombëtar sa më të gjerë, duke e mbështetur zhvillimin e sektorit te investimet dhe diversifikimi i ofertës turistike.