Në një pjesë tjetër të bisedës në Grida Duma Podcast, Anita Haradinaj ndau një reflektim për rolin dhe sjelljen publike të grave të politikanëve, duke theksuar se shpesh ato qëndrojnë shumë të distancuara nga shoqëria. Në dialog me Grida Duma, bashkëshortja e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj tha se një nga gjërat që nuk i pëlqen është fakti që shumë prej tyre qëndrojnë “hermetike” dhe nuk shfaqen si njerëz të zakonshëm në publik.
“Duhet të shfaqen jo pse janë gra politikanësh, por të shfaqen si njerëz. Mandati është kontratë pune. Ke kontratë për katër vjet dhe një ditë nuk do të jesh më në atë pozicion. Nuk je monarki, nuk je mbretëreshë dhe nuk e trashëgon dot”, u shpreh ajo.
Anita Haradinaj bëri edhe një krahasim mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se në Kosovë politikanët dhe familjarët e tyre shihen më shpesh në ambiente të zakonshme shoqërore.
“Çuditem sidomos këtu në Shqipëri. Në Kosovë takon edhe ministra në lokal apo në bar në darkë duke ndenjur me shoqërinë e vet. Kurse këtu janë shumë hermetikë. Unë kurrë n’jetë nuk më ka ndodh me pa për shembull gru politikani në kafe duke pi kafe me shoqe. Përveç kam pi njëherë kafe me Monikën”, deklaroi Haradinaj.
Anita Haradinaj tha se ka vlerësuar stilin e drejtpërdrejtë të Grida Duma gjatë kohës kur ishte deputete.Po ashtu, Haradinaj përmendi si figura që i pëlqejnë në politikën shqiptare edhe Jozefina Topalli dhe Monika Kryemadhi, duke theksuar se tek Kryemadhi vlerëson veçanërisht temperamentin rebel.


