Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvend mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me reagimin e qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres, Snezhana Paunoviç, për Kosovën.

Muçi kërkoi që Kryeministri Edi Rama të mbajë një qëndrim publik, duke e cilësuar “spastrimin etnik” si krim ndaj njerëzimit dhe duke akuzuar qeverinë se ka heshtur përballë deklaratave të tilla. Në përgjigje, Balla tha se reagimi i qeverisë shqiptare është bërë përmes Ministrisë së Jashtme dhe akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë për përdorimin e çështjeve kombëtare për “karagjozllëk politik”.

Muçi: Spastrimi etnik është krim ndaj njerëzimit. Deklarata të tilla janë në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nëse Rama nuk mban qëndrim për deklaratën e ministres serbe, për çfarë do të mbajë qëndrim? Ky kryeministër si ka mundësi që nuk thotë çerek llafi kur njeriu i Vuçiçit flet për spastrim etnik? Ka lëshuar Taulant Ballën të sulmojë edhe gazetarët dhe nuk harroi të merrej edhe me Dua Lipën. Si ka mundësi që nuk mban një deklaratë për ministren serbe për spastrim etnik të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë?

Balla: Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë nga Ministria e Jashtme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen në karagjozllëk politik, por janë çështje me rëndësi kombëtare që s’mund të talleni me një aspekt procedural. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare, nuk jemi karagjozë si puna jote. Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë, politik. Kam reaguar shumë përpara teje, meqë u bëmë si kalamajtë e kopshtit; ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë. Natyrshëm, ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritete politike përfaqësuese që ne komunikojmë, Komisioni Evropian. Shqipëria, kur reagon, reagon bashkë me aleatët e vet. Është turp të vish dhe të bësh politikë. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët tuaj duhet të lani gojën mirë, pasi është i vetmi kryeministër që çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit. Edhe në 2014, në Beograd, ka deklaruar që Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.