Detaje të reja janë zbuluar lidhur me plagosjen e rëndë të ndodhur në Berat, ku 37-vjeçari Fabjel Toska (Xhindi) mbeti i lënduar nga një e shtënë me armë zjarri.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja ka ndodhur teksa Toska udhëtonte me një shok në automjetin e tij. Në një moment, ata janë parakaluar nga një automjet tjetër, i cili më pas u ka bërë shenjë me drita që të ndalonin.
37-vjeçari ka zbritur nga makina dhe është afruar drejt xhamit të shoferit të automjetit që i parakaloi. Pikërisht në atë moment, shoferi e ka qëlluar Toskën me një plumb në bark, duke e lënë të plagosur rëndë.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa i plagosuri vijon të marrë mjekim në spital. Hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes janë ende në vijim.
