Shqipëria po përballet me një nga situatat më të rënduara nga zjarret në vitet e fundit.
Mungesa e mjeteve efikase dhe avionëve e helikopterëve zjarrfikës e ka vështirësuar edhe më shumë përballimin e situatës. Për këtë, ka folur edhe kryeministri Edi Rama, teksa iu përgjigj pyetjes së qytetarëve se përse vendi ynë nuk blen më shumë avionë zjarrfikës.
Sipas Ramës, përpos faturave ekonomike, situata e rëndë të zjarreve nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e avionëve zjarrfikës. E këtu Rama sjell shembullin e Greqisë që posedon avion zjarrfikës, por zjarret e fuqishme të ditëve të fundit e kanë gjunjëzuar edhe shtetin fqinj.
“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë asesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…
Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!
Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull:
Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pak a shumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.
Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, thotë Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.



