Avokati i Popullit, Endrit Shabani është vendosur në qendër të një debati pasi akuzohet nga protestuesit se nuk po reagon në lidhje me zhvillimet rreth tubimit tashmë një mujor të qytetarëve. Sot në “Shqipëria Live”, Shabani u shpreh se e vlerëson faktin që po protestohet por shtoi se institucioni që ai drejton duhet të jetë neutral dhe për këtë arsye nuk mund të dalë në mbështetje të protestës.
“Mua më ka ndryshuar vetëm jeta, jo qëllimi. Unë besoj që Shqipëria duhet të organizohet më mirë. Shqiptarët duhet të kenë të drejtat e tyre dhe të jetojnë si të gjithë europianët. Aktivizmin tim e kam bërë me denoncime dhe revolta. Këtë qëllim kam edhe në detyrën si Avokat i Popullit. Tani nuk i shërbej asnjë partie politike. Kjo ka ndryshuar tek unë. Roli i Avokatit të Popullit është të jetë në komisariat, aty ku shoqërohet një qytetar, veçanërisht nëse ndalohet kur ushtrojnë të drejtën për tu protestuar. Kemi qenë në Vlorë kur u shoqëruan protestuesit e Zvërnecit, ashtu siç kemi qenë dhe sot. Në shesh nuk udhët të jetë. Ne jemi për të parë a ushtrohet e drejta por jo për të protestuar. Pritshmëria që unë të jem aty për të mbështetur kërkesat e qytetarëve, nuk ka qenë në 25 vitet e fundit. Nuk ka qenë në protestën për armët kimi sepse ka patur Avokat Populli. Pse u bë tani? Pse tek unë? Ky është institucion publik. Mendoni sikur unë ta përdorja për të përfituar pikë politike. Mendoni që ata që janë sot në shesh nesër të krijojnë parti politike dhe unë të dal t’i mbështes. Çfarë do ndodhë me ata që kanë votuar PS dhe PD? A do kenë ata besim të denoncojnë problemet tek unë? A do ndihen ata të përfaqësuar për mua? Kjo është pjesa institucionale. Bindjet dhe mendimet e mija personale nuk kanë lidhje me detyrën si Avokat i Popullit. E kundërta është e pamundur. Nuk ka asnjë Avokat Populli në Evropë apo botë, që mbështet kërkesat protestuesve.
Për mua është zhvillim pozitiv që kemi protesta paqësore që kanë qenë të paimagjinueshme më parë. Është zhvillim politik që njerëzit kërkojnë llogari ndaj qeverisë. Reagimin e qytetarëve ndaj meje e shoh si përgjigje për punën tonë, se çfarë mund të përmirësojmë. I shoh me vëmendje shqetësimet e tyre. Ndërsa sulmet e partive politike nuk më shqetësojnë personalisht por institucionalisht. Një ditë një aktivist politik i ushtronte presion stafit të Avokatit të Popullit teksa ai vëzhgonte protestën. Këto dëmtojnë punën dhe na e bëjnë të vështirë.”- tha ai.
