Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e njërit prej personave të përfshirë në ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në një parkim pranë zonës së Rinasit, ku dy të rinj u plagosën pas një sherri të çastit. Në pranga ka rënë Josif Mena, pronar i automjetit me të cilin autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, personi që dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri është ende në arrati dhe po kërkohet nga policia. Gjatë kontrollit në automjetin e përdorur për t’u larguar u gjet një gëzhojë, ndërsa në banesën e njërit prej të dyshuarve është sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në konflikt.
Sipas dëshmive të marra në vendngjarje, sherri ka nisur për motive banale të momentit, pas një debati të tipit “pse më pe?” dhe “pse parkon aty?”. Nga përplasja janë plagosur Fabjo Arifaj, i cili mori një plumb në këmbë, dhe Grisjan Latifaj, i goditur me sende të forta.
Forcat e policisë kanë sekuestruar provat materiale dhe po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të vënë në pranga autorin e armatosur.