Mbështetës të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” janë përfshirë në përplasje me efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë.

Tensionet u shënuan pasi protestuesit akuzuan policinë se po i fotografonte, veprim që sipas tyre kishte si qëllim identifikimin dhe ndalimin e tyre më pas. Në këtë situatë, një grup protestuesish tentoi të thyejë kordonin e sigurisë të vendosur nga policia.

Gjatë përplasjes verbale, drejtuesi i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u dëgjua të shprehej se po fotografohen për t’u arrestuar më vonë, duke i bërë thirrje policisë që ta ndalonte atë.

Protesta po vijon nën masa të shtuara sigurie, ndërsa forcat e rendit kanë rrethuar godinën e Kryeministrisë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.