Reshjet e dendura të shiut gjatë javës së parë të janarit pushtuan mbi 13 mijë ha tokë bujqësore, kurse më shumë se 1600 banesa u përmbyten.
Inxhinierja e ndërtimit, Luljeta Bozo e cila mbi supe mban një karrierë 60-vjeçare thotë se nëse Shqipëria do të kishte ruajtur infrastrukturën e kanaleve kulluese që u ndërtua në sistemin e diktaturës, sot kjo sipërfaqe toke e përmbytur do ishte shumë herë më e vogël.
“Në vitet 1965-1967 ka pasur shumë përmbytje. Pastaj u bë një punë e jashtëzakonshme për të ndërtuar rrjetin e kullimit dhe të drenazhimit të ujerave dhe u ndërtuan 640 diga që është një shifër që nuk e ka asnjë vend në botë për një sipërfaqe toke kaq të vogël sa jemi ne dhe sistemi ynë i vaditjes dhe kullimit ishte i dytë më i mirë në Evropë”, u shpreh inxhinierja e ndërtimit, Luljeta Bozo.
Por ky realitet tashmë i përket të kaluarës. Inxhienierja Luljeta Bozo thotë se kushtet e motit nuk mund t’i ndryshojmë, por ne njerëzit sipas saj kemi një tjetër fuqi mund të zbusim pasojat e tyre nëse sillemi mirë më natyrën, gjë të cilën në këto 30 vite nuk e kemi bërë.
“Ngrohja globale, agresiviteti njeriut ndaj natyrës duke shkatërruar pyjet dhe bimësinë ka shkatërruar drenazhet ose ato vijat kulluese që krijon vetë natyra”, u shpreh ajo.
Por natyra nuk po hakmerret vetëm ndaj atyre që shkatërruan, por edhe ndaj atyre që e punojnë tokën. Të mbjellat po asfiksohen nga uji I tepërt, pasi kanalet kulluese u shndërruan në ladfille mbetjesh.
“Kam mbjellë elb dhe grurë dhe kon mbi dy javë që janë nën ujë. Kanalet nuk janë pastruar kurrë”, u shpreh një fermer.
“Dëmi më i madh është që në shkatërruam sistemin e kanalizomeve o quajtëm kosh plehrash”, u shpreh Bozo.
“Dëmi im llogaritet tek 20 mln lekë të vjetra, tani se si do marri situata asaj nuk o dihet”, u shpreh fermeri.
Pas viteve 90 lëvizja e njerëzve u keqkuptua , pasi ata i dhanë të drejtë vetes të ndërtonin në toka të gabuara.
“Në grykëderdhjen e Vjosës ka qenë kategorikisht e ndaluar të ndërtoje, po ashtu edhe në zonën e Kënetës të Durrësit nuk mund të ndërtoje kurrë, sepse është e para në nivelin e detit dhe është një gropë që mbledh ujëra dhe e dyta ka bazamente shumë të dobëta”, u shpreh inxhinierja.
Nga ana tjetër kemi dhe një qytet të përmbytur atë të Durrësit.
“Sepse rrjeti o kanalizimeve të Durrësit ka qenë për x banorë, ndërsa sot është bërë x10 banorë dhe është dhjetëfishuar duhet një sistem i ri kanalizimesh”.
Inxhinierja 83 vjeçare, Luljeta Bozo thotë se edhe kësaj herë reshjet e shiut na sollën ndërmend fajtorët e përmbytjeve dhe ata nuk janë të pakët në numër.
“Fajtorë jemi të gjithë ne”, tha ajo.
Top Channel
