Pas 26 vitesh aktiv në botën e errët të krimeve mes drogës, vrasjeve, hakmarrjes dhe burgjeve, erdhi fundi i Janit, i cili humbi jetën gjatë një përleshje në burgun grek ku ndodhej prej dy vitesh.
Vrasja e tij nga një tjetër i dënuar grek po hetohet, por gjasat janë që të jetë e porositur, pasi jetën e tepelenasit famëkeq prej vitesh e kërkonin shumë kundërshtarë të cilët herë pas here kanë tentuar eliminimin e tij, por pa sukses.
Në janar të vitit 2016, në zonën e ish-parkut të autobusëve në kryeqytet, nga një makinë në lëvizje u qëllua me breshëri drejt Aliajit të ulur në një lokal, por ai shpëtoi pa asnjë lëndim. Atentati u përsërit katër muaj më vonë në Gjirokastër, ku sërish u qëllua nga një makinë në lëvizje dhe Jani Aliaj u plagos lehtë në dorë.
Pas këtyre sulmeve erdhi kundërpërgjigjja. Mbrëmjen e 1 majit të vitit 2016, në një lokal në ish-Bllok, i maskuar me paruke, Jani Aliaj qëlloi për vdekje kundërshtarin e tij të përbetuar, Elton Çiço. Dy tepelenasit ishin njohur në burgjet greke që në vitet 2000, ku nisën një konflikt që vijoi për vite dhe numëronte dhjetëra të vrarë. Në 2015, prindërit e Elton Çiços u dhunuan rëndë dhe banesa e tij u grabit. Kjo ngjarje ndezi një hakmarrje, ku personat e përfshirë u eliminuan njëri pas tjetrit me armë dhe eksploziv. Edhe pas vrasjes së Çiços, hakmarrja u vijua nga miqtë e tij, të cilët, duke mos gjetur Janin, kryen atentate ndaj miqve të tij.
Për vrasjen e Çiços, Jani Aliaj ishte dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm në Shqipëri, dhe pasuria e tij ishte sekuestruar pasi dyshohej se ishte vendosur me burime jo të ligjshme. Ai u arrestua në dhjetor të 2024 në Athinë, me dokumente të falsifikuara greke, dhe ishte në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë. /Top Channel/


