Fëmija pas shumë tensioneve, skenave të dhunshme që mund të ketë parë mes prindërve, ulet në tavolinë me ta, psikologen, përmbaruesin dhe përfaqësuesin e njësisë së mbrojtjes së fëmijës. Të tre përfaqësuesit janë të panjohur për fëmijën dhe ai duhet të përfshihet në një bisedë të vështirë për të. Situata bëhet edhe më e rëndë kur prindërit konfliktohen.

“Mos harroni asnjëherë që prindërit e njohin shumë mirë njëri tjetrin, pra babai e di kë ka zgjedhur për grua dhe nëna e di kë ka zgjedhur për burrë që do të thotë dinë ku të provokojnë dinë si të lëndohen. Mendoni pak një fëmijë në një ambient që nuk e njeh fare, njeh vetëm dy prindërit e tij, që ai ndihet fajtor sepse ata po zihen për të dhe gjen 4 apo 5 figura të tjera profesionale të panjohura dhe që do ti duhet të tregojë historinë e tij ashtu sikurse ai e mendon’”, u shpreh psikologia klinike Eriona Hoxha.

Në rastin e ekzekutimit të vendimit për marrjen e fëmijës situate është edhe më e komplikuar. Ndodh që dyert e shtëpisë ku mbahet fëmija nuk hapen, një i afërm që në shumë raste është gjyshi, iu drejtohet të pranishmëve se nuk është njoftuar për këtë procedurë. Gjithçka që mund të bëhet është mbajtja e një procesverbali ku përcaktohet një datë tjetër për ekzekutim vendimi dhe gjyshi është i detyruar të firmosë për marrjen e njoftimit.

“Paramendoni një fëmijë që përpos të gjithave të thërritet edhe nga policia apo prokuroria dhe t’i merret aty një tjetër dëshmi që çfarë ka vazhduar të ndodh. Kjo gjë e lodh një fëmijë. Jam gjendur edhe përballë faktit që personat dhunues kur shkon dhe bën një ekzekutim në familje të na kenë nxjerrë edhe armët”, u shpreh Eriona Hoxha.

Aktorët që përballen në përditshmëri, tregojnë situata nga më të vështirat gjatë ekzekutimit të vendimeve.

“Unë kam qenë në raste që janë dhunuar prindërit me njëri-tjetrin, unë kam qenë në raste që gjyshërit apo të tretët të kenë ndërhyrë. Vetë kam qenë e cënuar kur jam munduar të bëj amortizatorin çfarë po ndodh na lini të kuptojmë dhe në momente të tilla ma besoni është ndjesia më e keqe sepse ti do të marrësh përsipër të mbrosh fëmijën e dy prindërve kush me më shumë e kush me më pak përgjegjësi”, u shpreh Eriona Hoxha.

Episodet e dhunshme sjellin nevojën për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes që numërohen me qindra çdo muaj. Ekzekutimi i urdhrave të mbrojtjes, dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes është një fushë me boshllëqe ligjore. Përgjegjësia është e shpërndarë mes përmbaruesit gjyqësor dhe policisë. Përmbaruesi duhet të ketë rol të qartë dhe të mbrohet me dispozita penale pasi mosrespektimi i urdhrit të mbrojtjes cënon direkt sigurinë e tij.

“Drejtoria e përmbarimit është kontributore në 3 strategji të Ministrisë së Drejtësisë në strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë në strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë për të mitur dhe në strategjinë ndërsektoriale për viktimat e krimit. Ne jemi munduar të paktën me instrumentat ligjorë të ndërhyjmë pikërisht për t’iu ardhur në ndihmë atyre familjeve të cilat nuk kanë mundësi ekonomike dhe financiare”, u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.