Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me aksionin ‘blic’ që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në qytet, duke publikuar edhe pamjet nga arrestimet. Gjatë aksionit kanë rënë në pranga Aldo Mustafa dhe Arbi Haxhiu, të cilët konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë pasi janë të përfshirë në ngjarje kriminale në vend.
Mustafa ishte në kërkim për ngjarjen e 13 gushtit në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar, ku në banesën e Ilir Gjeçajt u vendos një sasi lënde plasëse. Ai po ashtu rezulton i ndaluar edhe më parë nga policia konkretisht në vitin 2023 ku u kap me armë. Dyshohet se Mustafa ishte nisur të kryente një vrasje për hakmarrje pasi i ishte vendos tritol në automjet. Ai është arrestuar edhe në tentativë për të kryer një vrasje më 2021, teksa ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, me 10 vite burg në Gjermani.
Mustafa është pjesë e grupit të Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe edhe si ‘Rrumi i Shijakut’ dhe i dënuar më parë për kanosje e drogë.