Pamje shqetësuese janë bërë publike nga një incident i ndodhur në Lungomare Vlorë, ku një qen i racës pitbull ka sulmuar një vajzë të vogël vetëm 4 vjeç. Sipas videos që qarkullon, qeni e ka kapur të miturën në pjesën e kokës dhe e ka tërhequr për disa çaste, duke shkaktuar panik tek personat që ndodheshin pranë.
Kalimi i rastësishëm i qytetarëve bëri që situata të mos përshkallëzohej më tej, ndërsa ndërhyrja vendimtare erdhi nga një punonjës i bashkisë, Sejko Veliu, i cili arriti të largojë qenin dhe të shpëtojë vajzën nga pasoja edhe më të rënda. Ai ka treguar më pas se reagoi menjëherë sapo pa skenën, duke ndërhyrë për të neutralizuar kafshën.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, teksa e vogla kishte dalë për shëtitje së bashku me gjyshen e saj. Pas transportimit në spital dhe marrjes së ndihmës mjekësore, gjendja e saj raportohet e stabilizuar. Ndërkohë, dyshohet se qeni është eutanazuar, çka ka nxitur reagime dhe diskutime nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve.
