Personi që shihni në foto është Aldi Zonja, një nga të arrestuarit mega-operacionit të SPAK, që zbuloi një laborator të avancuar droge.
Së bashku me të, ranë në pranga dhe 9 shqiptarë dhe 3 të huaj, me këta të fundit që ishin ekspertët e përpunimit të lëndës narkotike që fshihej në lëkurën e kafshëve. Bie në sy rruga si importohej droga nga Amerika Latine duke e fshehur në lëkurë gjedhi. Pas arkave me banane, trafikantët po përdorin skema të tjera trafikimi për t’i shpëtuar kontrolleve në dogana.
Gjatë operacionit janë sekuestruar material i papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM dhe 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
“Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga lëkurë gjedhi të kriposur, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.”- njoftoi SPAK.



