Personi që shihni në foto është Emse Meço, 44-vjeçarja shqiptare e cila u vra nga bashkëshorti Bujar Meço, në Greqi.

Çifti kishte emigruar në Greqi nga Shqipëria rreth 20 vjet më parë, së bashku me vajzën e tyre të madhe dhe ishin vendosur në Dialampi. Sipas banorëve të zonës, gjatë gjithë këtyre viteve ata punuan si punëtorë krahu, duke u përpjekur të krijonin jetën e tyre në zonë dhe të rrisnin tre fëmijët. Megjithatë, kohët e fundit, marrëdhënia e tyre ishte tronditur dhe, sipas të njëjtave informacione, ata ishin ndarë. 53-vjeçari kishte blerë disa toka bujqësore në zonë dhe punonte atje, ndërsa 43-vjeçari ishte larguar për në Thassos për të punuar sezonalisht.

Ata kishin 3 fëmijë. Vajza e saj më e madhe është e rritur dhe jeton jashtë Rodopit, ndërsa djali i saj 19-vjeçar dhe vajza 16-vjeçare jetonin në fshat. 43-vjeçarja u kthye në Dialampi me qëllim që të ishte pranë vajzës së saj për ditëlindje. Megjithatë, kthimi i saj ishte i destinuar të ishte fatal. Sipas raportimeve, dy nga fëmijët e familjes ishin në shtëpi në kohën e sulmit. Vajza 16-vjeçare ishte ajo që njoftoi policinë pasi babai qëlloi gruan me thikë në qafë. Pas krimit, ai plagosi lehtë dhe veten me thikë dhe më pas piu një lëng, të dyshuar naftë, për tu vetëvrarë. Ndërkohë, djali 19-vjeçar e mori nënën e gjakosur në krahë dhe e çoi në spital, me shpresën se do e shpëtonte, por aty i thanë se ajo kishte ndërruar jetë.

Familja kishte histori të gjatë dhune, pasi 53-vjeçari Bujar Meço ishte xheloz dhe tepër kontrollues ndaj bashkëshortes. Në vitin 2022, ai ishte arrestuar pasi kishte dhunuar 44-vjeçaren teksa ndodheshin për vizitë tek vajza e madhe. Së fundmi, viktima po përgatiste dokumentet për divorc, por u vra para se ta finalizonte.