Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Tepelenës, ku biznesmeni italian Edoardo Sarchi u gjet i vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta. Trupi i tij u zbulua pak pas mesnatës së të premtes në një vend të quajtur Dilan, midis fshatrave Nivicë dhe Salari.
Sarchi, i cili prej rreth 20 vitesh jetonte në Shqipëri dhe kishte qenë administrator i një fabrike të madhe tullash në Tiranë, ndodhej për gjah së bashku me katër persona. Mes tyre ishin ortaku i tij i biznesit, Eqrem Braçi, dhe dy djemtë e këtij të fundit, Gazmenti dhe Danieli, të cilët janë shoqëruar nga policia për marrje në pyetje. Identiteti i personit të katërt nuk është bërë ende publik.

Sipas burimeve hetimore, dëshmitë e tyre kanë qenë kontradiktore. Fillimisht u tha se grupi ishte sulmuar nga persona të panjohur, më pas se e gjetën Sarchin të pajetë në rrugë, ndërsa në një version tjetër pretendojnë se ai ndërroi jetë në duart e tyre pas plagosjes.
Dy automjetet me të cilat udhëtonin një Land Rover dhe një Volkswagen janë sekuestruar nga policia në vendin e ngjarjes.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar dinamikën e saktë të krimit dhe për të identifikuar autorin ose autorët e ngjarjes.