Një krim i rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës, ku një turist i huaj dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij në ambientet e një hoteli dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, dhe autori i dyshuar është identifikuar si Brandon Saporito, 57 vjeç, shtetas amerikan.

Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet aktualisht në spitalin e Shkodrës nën kujdesin e mjekëve dhe nën mbikëqyrjen e policisë.

Gazetari Eraldo Harlicaj ka publikuar foton e çiftit dhe ka bërë të ditur se viktima ishte bashkëshortja e tij, e cila kishte ardhur me të në Shqipëri vetëm pak ditë më parë për pushime.

“Nadja e mirë nga Shkodra! Ditë e re, tjetër çmenduri.

Burri vret gruan dhe më pas pret damarët. Vetë në gjendje të rëndë. Ndryshe nga ngjarja ku mbeti e vrarë Anila Ndoka nga Kole Manaj, këtë herë çifti është i huaj.

Brandon Saporito (57 vjeç) i mori jetën Sandra Holley (53 vjeç). Burri ndodhet në spital të Shkodrës. Kishin ardhur me pushime në Shqipëri para pak ditësh.”, shkruan gazetari në postimin e tij.

Burime pranë hetuesve thonë se krimi ka ndodhur në një nga dhomat e hotelit ku çifti po qëndronte. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet që çuan në këtë akt tragjik.

Autoritetet pritet të japin më shumë informacion gjatë orëve në vijim, ndërsa shoqëria shqiptare tronditet nga ky akt i rëndë që ka ndodhur në një nga qytetet më turistike të vendit.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S.

Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes.

Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.