Është publikuar fotoja e Eraldo Muçit, 30-vjeçarit nga Memaliaj, i cili është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë që prej datës 15 qershor. Ai rezulton të ketë pasur kontaktin e fundit me familjen pikërisht në atë ditë dhe që prej asaj kohe nuk është përgjigjur më në telefon dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.

Muçi njihet gjithashtu si mik i Aleksandër Sadikajt, i vrarë në një atentat me tritol në qershor të vitit 2022.

Babai i tij, S. Muçi, 73 vjeç, ka bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Memaliaj më 24 qershor, duke raportuar se i biri kishte humbur kontaktet prej nëntë ditësh.

Sipas burimeve policore, dyshohet se 30-vjeçari ishte nisur drejt Durrësit, por deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi vendndodhjen e tij apo se ku është parë për herë të fundit.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e zhdukjes, ndërsa familjarët dhe të afërmit apelojnë për ndihmë nga qytetarët, duke kërkuar që çdo informacion i mundshëm të raportohet menjëherë.