Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ka publikuar kalendarin zyrtar të provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2026, duke u bërë thirrje maturantëve të përgatiten seriozisht për provimet e vjeshtës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kumbaro iu drejtua nxënësve që nuk arritën të përfundonin me sukses provimet në sesionin e qershorit, duke i inkurajuar të shfrytëzojnë këtë mundësi të dytë.

Sipas kalendarit të bërë publik, provimet do të zhvillohen sipas këtij programi:

24 gusht 2026 – Gjuhë e Huaj;

27 gusht 2026 – Gjuhë Shqipe dhe Letërsi;

31 gusht 2026 – Matematikë;

3 shtator 2026 – Provim me Zgjedhje.

“Është momenti të përgatiteni me përkushtim dhe të besoni te vetja juaj”, është mesazhi që ministrja përcolli për maturantët.

Sesioni i dytë i Maturës Shtetërore u jep mundësi nxënësve që nuk kanë kaluar ose nuk kanë zhvilluar provimet në sesionin e parë të përmbushin detyrimet për përfundimin e arsimit të mesëm dhe të vijojnë procedurat për studimet e larta.