Aktivisti Andrea Bregu është shoqëruar sot në Komisariatin e Policisë së Tiranës, pasi në rrjetet sociale publikoi një databazë me të dhëna për pagat e drejtuesve dhe anëtarëve të një shoqate të komunitetit LGBTI+. Lajmin e ka bërë vetë Bregu publik përmes një videoje, ku shihej i shoqëruar nga avokati i tij, Altin Goxhaj.
Sipas Bregut, thirrja në polici ka si qëllim ta frikësojë dhe të ndalojë denoncimet që ai pretendon se lidhen me aktivitetin e organizatave të komunitetit LGBTI+. Ai akuzon se këto organizata synojnë fëmijët dhe “shkatërrimin e familjes tradicionale”.
Nga ana tjetër, avokati Goxhaj deklaron se hetimi po kryhet mbi bazën e një ligji që, sipas tij, është futur në fuqi në mënyrë të dyshimtë. Ai e cilëson kallëzimin ndaj klientit të tij si një formë presioni për të heshtur denoncimet që Bregu ka bërë publikisht.
Ndërkohë, ligji për “Barazinë Ligjore” u miratua në Kuvend më 6 nëntor, me 77 vota pro të Partisë Socialiste dhe 36 kundër nga opozita. Projektligji kaloi vetëm me votat e mazhorancës socialiste.
