Ekspertja e komunikimit joverbal, Irena Myzeqari, e ftuar në emisionin “Top Story”, analizoi marrëdhënien e publikut me politikën dhe ndikimin që ka figura e liderit në shoqëri.
Ajo theksoi se prirja për t’u identifikuar me liderët, e rrënjosur në sjelljen njerëzore, ndikon në modelet aktuale politike, ndërsa shqetësimin më të madh e sheh te apatia e qytetarëve, e cila, sipas saj, është më problematike sesa qëndrimi pro apo kundër politikës.
“Në shtratin antropologjik, në të gjitha shtresëzimet e veta, ne priremi të kemi një ndjesi tribale ndaj liderit. Kjo na çon drejt modeleve aktuale që kemi pasur. Nëse shohim ligjërimin publik, vërejmë një dominim të asaj që thuhet.
Mendoj se audienca, përtej kundërshtisë, nëse e do apo nuk e do, nuk e urren atë. Ajo ka arritur në një gjendje edhe më të keqe, që është apatia. Kjo apati, në mënyrë indirekte, kthehet në një ligjërim të pavetëdijshëm.
E keqja më e madhe që vjen nga ky shtrat antropologjik është bindja se, çfarëdo që të themi, në fund do të dalë më i forti dhe ai do t’i japë drejtim. Ne e kemi të vështirë të dallojmë kur flasim për fakte dhe kur për gjysmë të vërteta. Bëhet e pamundur të kuptosh të vërtetën”, u shpreh Irena Myzeqari në “Top Story”.
Top Channel
