Ish-presidenti Bamir Topi duket se është kundër paktit për t’u përfshirë në një koalicion me Partinë Demokratike. Nënshkrimi në minutat e fundit të gongut, të skadimit të afatit ligjor nga KQZ erdhi për shkak të vonesës së përgjigjes nga ana FRD-së.
Arsyeja e kësaj vonesa ka ardhur për shkak të përplasjeve që kanë pasur brenda partisë që drejtohet nga ish-presidenti. Negociatat me PD-në janë drejtuar nga sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Sali Shehu dhe jo nga Topi. Ai madje ka qenë edhe personi që ka firmosur marrëveshjen me PD-së për t’u bërë pjesë e koalicionit “Aleanca për Ndryshim”.
Sipas këtyre burimeve thuhet se Sali Shehu s’kishte mandat nga kryesia për të firmosur dhe ka dalë kundër vullnetit të saj dhe pa miratimin e Topit.
Negociatat dhe mos arritja e pritshmërive ka ndikuar që ish-presidenti Topi të shpallë sot vendimin për dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i partisë që e krijoi mbi një dekadë më parë.
“Në shprehje të vullnetit TIM, deklaroj dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme, nga detyra e Kryetarit të Partisë “Fryma e re Demokratike”, thuhet në letrën e dorëheqjes.
Një ditë parë, ish-presidenti Topi do të deklaronte se asgjë nuk kishte mbyllur me PD-në, duke pritur mënyrën se si do të negociohej me partinë më të madhe të opozitës.
Kjo lëvizje e bujshme e ish-presidentit tregon qartë se ai është kundër një pakti të tillë dhe madje e sheh veten jashtë këtij koalicioni politik.
Partia Demokratike e cilësoi si një fitore afrimin e Topit në koalicionin opozitar dhe kjo do të shihej si një përmirësim i imazhit të saj përballë ikjeve të tilla brenda demokratëve si Jozefina Topallit apo dhe Astrit Patozit, dy ish-nënkryetarët që tashmë kanë krijuar dy parti të reja politike dhe do të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet e 25 prillit.
Edhe pse i zgjedhur nga PD si president i Republikës, Bamir Topi nuk i pati marrëdhëniet me mira me kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha. Përplasja më e fortë e tij ka qenë për ngjarjen e 21 janarit, ku Berisha nuk kurseu dhe akuzoi presidentin Topi si një “horr bulevardi”.