Policia e Pukës ka deklaruar se është parandaluar në kohë një vrasje në fshatin Dom, Komunën Gjegjan. Burimet policore bëjnë të ditur se mbrëmjen e sotme është ndaluar shtetasi Pjetër Ndreu, i cili dyshohet se ishte drejtuar i armatosur drejt banesës së bashkëfshatarit të tij, Preng Laloshit.


Informacionet e marra në rrugë operative, si dhe denoncimi nga ana e bashkëshortes së Preng Laloshit ka bërë që policia të parandalojë krimin, duke arrestuar në flagrancë agresorin në oborrin e familjes Laloshi. Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit mes Ndreut dhe Laloshit të ketë qenë një konflikt i vjetër mes dy burrave. Paraditen e sotme ata janë përplasur fizikisht dhe dyshohet se pas sherrit, Ndreu të marrë një armë dhe është drejtuar për në shtëpinë e bashkëfshatarit të tij.


Policia ka arrestuar Ndreun, ndërkohë që ka shoqëruar në komisariat edhe bashkëfshatarin tjetër Preng Laloshi, me qëllim sqarimin e ngjarjes. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


10 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)