Këshilli i Ministrave miraton propozimin për shtesë personeli
Bashkia e kryeqytetit do të ketë në strukturën e saj më shumë policë bashkiakë. Pushteti lokal ka diskutuar me Ministrinë e Brendshme dhe këto struktura i kanë propozuar nëpërmjet një projektvendimi, Këshillit të Ministrave, miratimin e punonjësve shtesë në radhët e policisë bashkiake, pa u mbyllur ky vit kalendarik.
Brenda dy javëve, struktura e Bashkisë së Tiranës do të ndryshojë dhe pritet të punësohet një personel me 60 punonjës më shumë. Numri aktual i punonjësve të policisë bashkiake do të bëhet 300 nga 240 që ka qenë më parë. Këto janë ndryshimet që parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave, miratuar dje pas propozimit të ministrit të Brendshëm.
Në strukturën e policisë bashkiake, sipas organigramës nuk përfshihen punonjësit e policisë ndërtimore, strukturë edhe kjo në varësi të pushtetit vendor.
“Në mbështetje të nenit ‘Për organizimin dhe funksionimin e policisë së bashkisë dhe komunës’, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave vendosi: Numri maksimal i punonjësve të policisë bashkiake, për Bashkinë e Tiranës, të bëhet 300 persona. Ndërsa numri i përgjithshëm i punonjësve të policisë së bashkive dhe komunave të bëhet, gjithsej, 1150 veta”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria.
Duke iu referuar të dhënave të vitit 2007, për strukturën e drejtorisë së policisë bashkiake, rezulton se numri i punonjësve në total ka qenë 200, nga të cilët 1 kryeinspektor, 26 inspektorë dhe 173 policë. Me ndryshimet që pësoi një nga nenet e këtij ligji, një vit më vonë, konkretisht në vitin 2008 numri i stafit të policisë bashkiake ishte 250 në total, nga të cilët 1 kryeinspektor, 30 inspektorë dhe 219 policë.
Kështu, ky është ndryshimi i fundit brenda viteve 2007-2012, ku numri i punonjësve të policisë bashkiake këtë herë rritet me rreth 60 persona më shumë.