Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar përgjimet për tenderët e Unazës që gjenden në dosjen e zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi i cilëson këto përgjime si “tmerr”, duke shkruar:
“‘Çdo lot ka marrë kriteret e shtypura në letër pa emër’, kështu i ndante tenderët Belinda Balluku në qeverisjen e Edi Ramës, për një projekt në total 130 milion euro. Çfarë tmerri, çfarë korrupsioni. Më poshtë përgjimet sesi u caktuan fituesit në tenderët e Unazës së Tiranës!”.
Pjesë nga dosja:
Nga akti i ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasve Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Ilir Shtufi, si më poshtë:
Në datën 10.09.2021, në orën 10:46, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Hajde tek une ne 11”.
Në orën 10:46, Evis Berberi: “Erdha”.
Në orën 13:00–13:01, Belinda Balluku: “Çdo gjë ok Lenci me pëllumb. Prite pak ilir shtufin e nova dhe beja te qarte qe shkon me eut Dhe mos ta shoh ne vend tjeter Punet i ke me gim thuaj jo me mua”.
Në orën 13:01, Evis Berberi: “Ok”.
Menjëherë pas këtij komunikimi, po në datën 10.09.2021, shtetasi Evis Berberi komunikon me shtetasin Ilir Shtufi, ku në orën 13:54–13:55, shtetasi Ilir Shtufi i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet: “persh si te kam.. ilir shtufi nova jam. te tak pak më kanë thënë kure mundesh”.
Në orën 14:07, Evis Berberi: “Hajde kalo”.
Në orën 14:07, Ilir Shtufi: “ok 10 min”.
Menjëherë pas këtij komunikimi, në orën 15:09, datë 10.09.2021, shtetasi Evis Berberi komunikon me shtetasen Belinda Balluku, ku në orën 15:09, Evis Berberi:
“E takova ok” (me këtë mesazh shtetasi Evis Berberi i referohet mesazhit të mëparshëm të shtetases Belinda Balluku me tekst: “Prite pak ilir shtufin e nova dhe beja te qarte qe shkon me eut”).
Në orën 21:41–21:45, Belinda Balluku: “Ke një Miranda tek prokurimet Pamfleti ka te gjithë listën e kompanive fituese tek U”.
Në orën 21:47, Evis Berberi: “Miranda ka qenë tërë kohës të prokurimet. Miranda s’ka dijeni për emrat”.
Në orën 21:49, Belinda Balluku: “Po mire, gjeje kush”.
Në orën 21:49, Evis Berberi: “Asnjë se ka listën s’ka si ta kenë. Pamfleti e ka nxjerr listën aq sa është info. Vetëm po të kenë qëlluar në shenjë me hamendësim se dhe sot kishte ndryshime. Më duket e habitshme pasi vetëm une e di. Për çdo lot kanë marrë kriteret në letër të shtypur pa emër”.
Në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi rezulton se shoqëria “Nova Construction 2012” sh.p.k. (me pronar shtetasin Ilir Shtufi), më datë 14.09.2021 (4 ditë pas komunikimeve të mësipërme), ka lidhur kontratë bashkëpunimi me shoqërinë “Euroterracom Peqin” sh.p.k. dhe “PE-VLA-KU” sh.p.k. për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit me referencë nr. REF-02817-08-13-2021, me objekt “Ndërtim i Urnazes së Jashtme Tirana, Loti 5”, ku dhe rezultuan fituese të kësaj procedure prokurimi.





