“Fiks Fare”
“Prodhoj çdo pije energjike, më thuaj me çfarë marke e do!”
Prodhimet false kanë pushtuar tregun shqiptar. Pije energjike që prodhohen nëpër punishte të palicencuara dhe bodrume shiten sot lirshëm në tregun shqiptar dhe kalojnë doganat. Këto pije nuk kanë asnjë certifikatë kontrolli. “Fiks Fare” tregoi dje sesi prodhohet në kushte primitive një pije energjike, e cila ka hyrë gjerësisht në Shqipëri në rrugë joligjore. Është pija energjike B52. Ky produkt prodhohet në Holandë dhe importohet në Shqipëri nga një kompani private që quhet B&M SHPK. Megjithëse kjo kompani është e licencuar për importin e kësaj pije, një kompani tjetër, “Arseni” SHPK, e falsifikon këtë pije, duke e prodhuar me porosi në një punishte në Gostivar të Maqedonisë. Kjo punishte prodhon edhe disa lloje të tjera pijesh energjike, por për të gjitha është e njëjta përmbajtje, ndryshon vetëm ambalazhimi. Kjo pije prodhohet edhe me barkod shqiptar dhe më pas nga dogana shqiptare në Qafë-Thanë futet në Shqipëri dhe pastaj del në të gjithë tregun si në Shqipëri edhe në Kosovë. Personi i autorizuar për importin e kësaj pije ka bërë kërkesë në të gjitha institucionet përkatëse, ku ka denoncuar qarkullimin e këtij prodhimi të falsifikuar në tregun shqiptar, por në asnjë moment nuk ka gjetur zgjidhje. Investigimi i “Fiks Fare” u shtri edhe në Maqedoni. Gazetarët gjetën në Gostivar punishten që prodhon për tregun e Shqipërisë dhe Kosovës pikërisht këtë pije energjike. Në një bisedë me gazetarin e “Fiks Fare”, i cili u prezantua si tregtar, pronari i punishtes në Gostivar pranon se është në gjendje të prodhojë çdo lloj pije energjike dhe ta ambalazhojë në kanoçe sipas kërkesës. Sipas personit të autorizuar nga kompania “Bavaria” me qendër në Holandë, e cila prodhon pijen B52, pija origjinale është me kanoçe ngjyrë gri dhe në të shkruhet (importuar dhe prodhuar në Holandë), ndërsa falset që qarkullojnë në Shqipëri janë në kanoçet me ngjyrë blu dhe gri, të cilat prej më shumë se një viti kompania “Bavaria” i ka hequr nga qarkullimi. Dallimi tjetër i prodhimit të falsifikuar nga origjinali qëndron edhe te pjesa e barkodit, ku origjinali ka barkodin 871 që është barkod holandez, ndërsa ai fals ka barkodin shqiptar 530, pavarësisht se prodhohet në Maqedoni. “Fiks Fare” ka shkuar edhe në Holandë, në fabrikën ku prodhohet B52 origjinal. Menaxheri i përgjithshëm i kompanisë “Bavaria” në Holandë, Gijs Swinkels, thotë se pija me kanoçe blu që qarkullon sot në Shqipëri është prodhim që ata e kanë hedhur në treg në vitin 2005. Më pas vendosën të ndryshonin imazhin me një kanoçe të re dhe e ndryshuan dizenjimin, me një pamje më moderne, atë që ka sot kjo pije. Edhe pasi hodhën produktin me dizenjimin e ri, në Shqipëri hyri përsëri produkti fals me dizenjim të ri. Sipas menaxherit të përgjithshëm të kompanisë “Bavaria”, pija false nga origjinali “ka vetëm ndryshime shumë të vogla, bar kodin dhe në produktin fals shkruhet e importuar nga ‘Arseni’ SHPK, ndërsa e jona është e importuar nga BM SHPK”. Sipas tij, kjo që po ndodh në Shqipëri është e papranueshme, pasi në këtë rast ata nuk garantojnë cilësinë e këtij produkti dhe ai që preket është direkt konsumatori.