Një ditë pushimi në bregdet u kthye në tragjedi për një grup të rinjsh nga Kosova në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Dy prej tyre humbën jetën pasi u morën nga dallgët dhe rrymat e forta detare, ndërsa tre shokët e tyre arritën të shpëtohen falë ndërhyrjes së menjëhershme të qytetarëve dhe forcave të policisë.
Viktimat janë Leonit Aliu, 21 vjeç, nga Fushë-Kosova, dhe Jetmir Binaku, 20 vjeç, nga Prishtina. Leoniti ishte një emër i njohur për sportdashësit në Kosovë, pasi më herët kishte luajtur me ekipin e KF Fushë-Kosovë.
Sipas të dhënave paraprake, pesë të rinjtë kishin mbërritur në Shëngjin si pjesë e një grupi turistësh dhe kishin hyrë në det për t’u larë, pavarësisht kushteve jo të favorshme. Në pak çaste, ata u përballën me dallgë të fuqishme dhe rryma të forta, duke e humbur kontrollin.
Tre të rinjtë e tjerë, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, u nxorën me sukses nga uji. Në operacionin e shpëtimit u angazhuan qytetarë që ndodheshin pranë zonës me mjete Jet Ski, të cilët bashkëpunuan me policinë për të sjellë në breg pesë personat. Megjithatë, për Leonit Aliun dhe Jetmir Binakun, përpjekjet rezultuan të pamjaftueshme, pasi ata nuk mundën t’i mbijetonin forcës së detit
Pushimet që u kthyen në TRAGJEDI/ Këta janë dy të rinjtë që humbën jetën dje tek Rana e Hedhun
