“Fiks Fare”


Golem, 80% e bizneseve derdhin ujërat e zeza në det, u gjobitën vetëm 8 subjekte 


Masa urgjente dhe shumë të rrepta, duke u mbyllur aktivitetin, duke i dërguar në ndjekje penale, bizneseve që derdhin ujërat e zeza në det, madje dhe shkarkim brenda katër minutave i kryetarëve të bashkive apo komunave që anashkalojnë derdhjen e ujërave të zeza, ka paralajmëruar kreu i qeverisë përpara fillimit të sezonit turistik. Kjo do të realizohej që të sigurohej një sezon turistik i pastër dhe pa kontestime nga pushuesit dhe mediat. Por përgjatë gjithë bregdetit shqiptar gjatë sezonit turistik ka vazhduar derdhja e ujërave të zeza.


Golem, ujërat e zeza nuk iu ndanë as këtë vit pushuesve që zgjodhën plazhin në këtë zonë. Projekti i shumëpritur për sistemimin e ujërave të zeza në këtë zonë, i cili pritej të përfundonte në qershor të këtij viti, nuk përfundoi. Ndodhi ajo që pritej lidhur me ndotjen e ujit të detit në bregdetin e Durrësit dhe Golemit.


Funksionoi për pak kohë vetëm vendosja e filtrave mekanikë dhe dezinfektimi me anë të kimikateve në afërsi të derdhjes së kanaleve. Kaq buxhet kishte Komuna e Golemit për të ulur sadopak ndotjen e detit nga derdhja e ujërave të zeza.


Plazhi i Durrësit, nga Plepat e deri në Spille, vazhdon të jetë i ndotur, pasi filtrat nuk kanë funksionuar.


Më shumë se 2 km vijë bregdetare dhe shumë e frekuentuar nga pushues ka qenë e ndotur nga ujërat e zeza, duke krijuar jo vetëm imazhin e keq për turizmin, por edhe duke u sjellë pushuesve probleme me higjienën e sëmundjet e lëkurës.


Shpresat për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza ishte sistemi i pompimit dhe i kanalizimit që do të përfundonte në qershor, por afati shtyhet e shtyhet. Komuna e Golemit dezinfekton vendet ku derdhen ujërat e zeza në det ose krijon filtra natyralë me gurë çakulli. Për të shmangur ndotjen e detit nga ujërat e zeza, në pikën fundore të kanaleve janë vendosur prita me zhavorr e rrjetë. Pas këtij filtri, me anë të një tubacioni që përshkon kanalin dhe që është i shpuar në disa vende, pulson solucion kimik, që kryen funksionin e plotë të pastrimit, sterilitetit të ujit që rrjedh drejt detit.


Drejtoria e Kontrollit të Mjedisit ka gjobitur tetë subjekte që derdhin ujërat e zeza në zonën e plazhit të Golemit në shumën katër milionë lekë. Gjobat dhe filtrat natyralë ishin masat e vetme që mund të ndërmerrte pushteti vendor dhe Ministria e Mjedisit në këtë brez plazhi, ndërkohë që burime zyrtare pranë Komunës së Golemit bënë të ditur se 80% e bizneseve që janë në këtë brez derdhin ujërat e zeza në det.


 


Sarandë, ujërat e zeza derdhen në Kanalin e Çukës


Për pushuesit e Sarandës u duk se nuk ekzistonte problemi i dredhjes së ujërave të zeza në det. Syri i pushuesve nuk shikonte tubacione që derdhin ujëra të zeza në det, ashtu siç ndodh në bregdetin e Golemit dhe të Vlorës.


Por në Sarandë, derdhja e ujërave të zeza bëhet në kanalin e Çukës. Impianti i ri i përpunimit të ujërave të zeza, pati një kosto prej rreth 5 milionë eurosh ka mbetur i papërfunduar. Sipas administratorit të ujësjellësit të këtij qytetit, z.Qesko Cakallit “Për një investim përfundimtar prej 600 mijë eurosh nga qeveria shqiptare ka mbetur pa përfunduar ndërtimi i impiantit të ri, çka bën që ujërat e zeza të derdhen të papërpunuara në det”.


Faktin e derdhjes së ujërave të zeza në det e pranon edhe kryetari i bashkisë së qytetit të Sarandës, zoti Stefan Çipa, edhe administratori i Ujësjellës-Kanalizimeve të këtij qyteti.