Kjo pasdite i gjen protestuesit në një situatë paksa ndryshe nga ditët e mëparshme të tubimit në Tiranë.

Pasi u larguan me ujë me presion dhe gaz lotsjellës nga Ministria e Arsimit, protestuesit u rigrumbulluan te bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Pasi krijuan ‘territorin e tyre’ përballë gardhit të efektivëve të policisë, ata kanë nisur të kërcejnë në ritmin e daulles.

Personazhi që tashmë është bërë mjaft i pëlqyer në rrjetet sociale, një djalë i maskuar që shfaqet duke shpërndarë ‘dashuri’ për kamerat, efektivët dhe protestuesit, edhe sot e vodhi vëmendjen.

Ai udhëhiqte vallen duke u bërë thirrje ‘bashkohuni me ne në valle’, ndërsa më pas sërish u pa duke dhënë puthje ‘në ajër’ dhe duke pushuar në mënyrë origjinale në pllakat e bulevardit, që ende nuk janë hequr.

Një tjetër mënyrë argëtimi që tashmë është bërë e përditshme për ta, është sfida e pompave në shesh.

Deri tani (16:49), situata paraqitej e qetë, por mbetet për t’u parë vazhdimi.

Top Channel