Shtresa e mesme po e braktis Rusinë për të ikur në Perëndim bashkë me kapitalin e vet
Kur Vladimir Putini festoi 69-vjetorin e vet këtë muaj, një grup alpinistësh patriotë shpalosën një portret të udhëheqësit të Rusisë në një majë mali 4150 metra. Duke e përshëndetur atë si garantues të lumturisë dhe stabilitetit, alpinistët shpjeguan: Ne e vendosëm portretin e Putinit në një mur shkëmbi për të treguar se mali është po aq i pathyeshëm dhe i përjetshëm sa presidenti”.
Por ndërsa Putini po përfundon vitin e 13 të qeverisjes së këtij vendi të pafund, rusët po ndjehen gjithmonë e më të palumtur për perspektivën e tyre në jetë.
Rusia eksporton tre gjëra në sasi të mëdha, thotë një bankier i rëndësishëm në Moskë: burime natyrore, kapital dhe njerëz. Vetëm e para mund të konsiderohet si një eksport i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm; dy të tjerat tregojnë se oligarkët dhe qytetarët e zakonshëm po i kthejnë kurrizin Rusisë së Putinit.
Gati një e treta e banorëve të qyteteve thonë se dëshirojnë të largohen nga Rusia, në një sondazh të kryer në shtator. Mes të rinjve, kandidatët për të ikur janë gati gjysma. Shumica pëlqejnë destinacione në Europë, Shtetet e Bashkuara, Australi apo Zelandë të Re.
Cila është arsyeja e këtij eksodi të talentit dhe parave? Rritja e ndjenjës mes rusëve të arsimuar se vendi i tyre ka marrë drejtimin e gabuar dhe se asnjë ndryshim nuk ka gjasa të ndodhë.
Gjithçka kishte filluar në fakt shumë ndryshe. Putini zëvendësoi Boris Jeltsinin në Kremlin më 31 dhjetor 1999. Vitet e tij të para siguruan shpresë pasi kaosi i viteve të Jeltsinit u zëvendësua me regulll, ekonomia u rrit shpejt. PBB e Rusisë është rritur gati dhjetë herë gjatë kësaj periudhe dhe bumi i konsumit ka krijuar një shtresë të mesme.
Një grup ministrash reformatorë të udhëhequr nga Alexei Kudrin te Financat dhe German Gref tek Ekonomia, rritën shpresat për një ndryshim real për të rritur investimet private, për të modernizuar industrinë dhe infrastrukturën dhe për të reduktuar varësinë nga eksporti i lëndëve të para.
Në 2012-n, Putini filloi një mandat të ri gjashtëvjeçar si president dhe mbështetësit e tij kërkojnë që ai të qëndrojë në pushtet deri në 2024-n, aq sa ia lejon Kushtetuta. Në rast se ndodh kjo, Putini do të jetë udhëheqësi më i gjatë në Kremlin që nga koha e Stalinit.
Putini po e vijon axhendën e tij të reformës përmes mantrës së modernizimit, një koncept shumë i dashur për epokën e carëve. Ai ka shpalosur një program që synon të ndërtojë një ekonomi të re, të krijojë apo modernizojë 25 milionë vende pune dhe të bëhet eksportues i mallrave dhe shërbimeve inovative. Por ajo që po ndodh në terren flet për një drejtim tjetër.
Një tendencë e dobët dhe e shkurtër gjatë kohës së Dmitry Medvedev për liberalizëm po përmbytet. Udhëheqësit e opozitës po arrestohen dhe organizatat e të drejtave të njeriut po shtypen. Masa të reja kontrolli po zbatohen për internetin. Gref dhe Kudrin kanë ikur prej kohësh nga qeveria dhe zëra të pakonfirmuar thonë se edhe Medvedev do të pushohet nga puna tani shpejt.
Rritja ekonomike po vijon, por Moska tashmë ka popullatën më të madhe miliardere të botës, korrupsioni është i gjithëpërhapur dhe pasuria e vendit është e përqendruar në pak duar.
Kudrin ndihmoi në financimin e një studimi që vë në dukje se rusët kanë pak besim se mund të ndryshojnë situatën për mirë përmes votimit. Shumica besojnë se një revolucion është i mundur dhe për një pjesë, i dëshirueshëm. Medvedev tashmë ngjan një njeri i vetmuar në Moskë. Qeveria e Rusisë po e rrit gjithnjë e më shumë rolin e vet në ekonomi. Barack Obama e përshkroi Putinin pas takimit të tyre të parë në vitin 2009 si “një udhëheqës me një këmbë të zënë tek e shkuara sovjetike” dhe kjo gjë është e dukshme gjithkund. Administrata e Kremlinit aktualisht drejtohet nga një ish-agjent i KGB-së, Sergei Ivanov, i cili e përshkruan veten si “konservator” sa i përket sigurisë kombëtare dhe “liberal” sa i përket ekonomisë.
Në diskutimet mes shumë moskovitëve të arsimuar, sot dominon fjala “zastoi”, që do të thotë “stanjacion”. Është një fjalë që u përdor gjerësisht për periudhën e Leonid Brezhnjev në vitet ‘70 dhe tani po përdoret për Putinin.