Deputeti i PS-së Erion Braçe ka reaguar mbi situatën e rëndë të zjarreve që po përballet vendi ynë muajin e fundit, ku janë shkrumbuar me mijëra hektarë. Në një video në Facebook Braçe ka deklaruar se destinacioni i zonave të djegura nuk ndryshon.

Deputeti socialist tha se në pyjet që digjen, nuk mund të ketë ndërtime për hotele, restorte apo parqe fotovoltaike.

Postimi i plotë:

Zjarri i qëllimtë në fondin pyjor kombëtar, në pyje, nuk e ndryshon destinacionin: pyll apo fond pyjor!

Nuk ka asnjë mundësi – edhe i djegur, është pyll dhe fond pyjor, gjithë jetën!

E kemi shkruar shumë qartë në ligjin “Për pyjet”; e keni në nenin 5, pika 7!

U nxita t’i them këto fjalë për shkak të budallallëkut të qëllimshëm, të lig, që lidh Paketën e Maleve, ndërtime për qëllime turistike – hotele, resorte etj., ndërtime për qëllime të prodhimit të energjisë elektrike, me zjarret kudo që ato po djegin.

Boll për ata që ndezin zjarr, qoftë edhe për këto qëllime!

Edhe po dogjët, destinacioni fond pyjor, pyll etj. Nuk ndryshon. Nuk ka dhe nuk do të ketë leje për këtë kurrë!

Boll për të gjithë ata që gënjejnë në mënyrë të qëllimshme, me harta zjarri e me harta banale për secilin nga aktivitetet e mësipërme; edhe sikur zjarri të bjerë, ndizet qëllimisht në ato sipërfaqe, destinacioni fond pyjor, pyll etj. nuk bëhet Hotel, Resort, Park Fotovoltaik, Park Eolik etj.

Do t’i kërkoj Kuvendit të verifikojë ligjin, zbatimin e tij për çdo sipërfaqe të djegur, lejet e dhëna dhe territorin e djegur.

Nga ana tjetër, po si nuk i dëgjova njëherë të njëjtët të thërrasin: “Mos ndiz zjarr!”?

Si nuk u pashë një postim të tillë në këto dy muaj e ca ditë të zjarreve?

Zjarri nuk ndizet vetë, përgjithësisht! E ndezin njerëz të ngjashëm me këta që bëjnë zjarr në rrjetet sociale, pra humanë, njerëz!

Po si nuk u folët njëherë këtyre zjarrndezësve?

Si nuk i kërkuat njëherë prokurorëve e gjyqtarëve: “zjarrndezësit në burg!”?

Bëjeni njëherë! Do të ndiheni mirë.