Një rrugë, dy tendera dhe projekti ende s’ka përfunduar! Shteti hedh dy herë para’ për asfaltimin. Të dyja procedurat, fitohen nga të njëjta firma! Bëhet fjalë për rrugën Qafa Buallit – Martanesh. Grupi i Fiks Fare shkoi disa javë më parë në atë segment.
Në vitin 2023, autoriteti Rrugor Shqiptar hapi një procedurë për sistemimin e rrugës Qafa e Buallit – Martanesh, e gjatë 16.5 kilometër. Vlera ishte rreth 10 milionë euro. Fitues nuk u shpall oferta më e ulët, pasi diferenca e firmave fituese “Be Is”, Vëllezërit Hysa dhe Ergi, nga ajo më e ulta, ishte rreth 1.4 milionë euro.
Fituesit ofruan 947 milionë lekë, ku rrugën duhet ta sistemonin dhe asfaltonin brenda 18 muajsh. Tenderi i parë parashikonte ndër të tjera sistemimin e të gjithë këtij segmenti, gjithashtu edhe asfaltimin e tij. Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me Enver Islamin, përfaqësuesin e firmës fituese, Be Is, atë që ka bërë punimet në zonën e Martaneshit, duke e pyetur për procedurat.

Enveri thotë se informacionin t’a marrim nga Autoriteti Rrugor. “Ne si firmë, sepse kanë qenë volumet në fillim, kur është marrë tenderi domethënë, volumet kanë dalë shumë më pak seç ishin në realitet” thotë ai.
Por, a nuk i panë zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar këto volume? I bënë letrat nga zyra? Po këta të firmave fituese, nuk i verifikuan?! Përfaqësuesi i firmës thotë se projekti ka qenë gabim.

Sipas dokumenteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka bërë tender në vitin 2023 për projektimin e atij segmenti. Projektin e ka bërë “Sektori i Hartimit të Projekteve të Brendshme”. Pra, vetë ARRSH! Enveri thotë se firma e tij ka bërë gërmime, mure gabian, puseta dhe ura.
Dhe me këto punime, paratë e tenderit të parë avulluan dhe punimet u lanë përgjysmë! “Patjetër është ndërprerë puna rreth … Për një periudhë të caktuar, është ndërprerë puna deri sa është bërë projekti i rishikuar. S’e përfundonim dot” thotë ai.
Kush gaboi në këtë rast? Zyrtarët shtetërorë apo firma që zbatoi projektin?! “Ka gabuar projektuesi që ka bërë projektin e asaj nuk e ka llogaritur volumet e sakta” shton ai, teksa përfaqësuesi i firmës Be Is ia hodhi fajin projektit. Nuk pranon të tregojë se kush ka gabuar.

Ai thotë se ka zbatuar projektin dhe asnjë më tepër. “Unë kam qenë prezent atje po tani ka përfunduar si fazë” shton më tej.
Kur duhej të kishte përfunduar i gjithë sistemimi dhe asfaltimi i këtij segmenti, ARRSH hapi një tjetër procedurë, rreth 11 milionë euro, kësaj herë për asfaltim. Fiksi bëri një kryqëzim të dy dokumenteve. Të dokumenteve të tenderit të parë të vitit 2023 dhe dokumenteve të vitit 2026. Të dyja, përmbajnë fjalën asfaltim.
Fitues të tenderit të dytë dolën të njëjta firma; Be Is, Ergi dhe Vëllezërit Hysa. Do të marrin 11 milionë euro të tjera! Në total, 22 milionë euro për të njëjtën rrugë.
Fiksi shkon sërish të kontaktojë me një nga inxhinierët e firmave zbatuese. Kush gaboi, ata apo ARRSH?! “Në lidhje me çfarëdolloj gjëje, zotëri do të bësh shkresë dhe nëpërmjet shkresës ne do të kthejmë përgjigje” thotë ai. Personi është inxhinier, ai që ka zbërthyer projektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ai tha se ky nuk është muhabet kafesh.
Normale që s’është muhabet kafesh, pasi bëhet fjalë për 22 milionë euro para publike.
Nga vëzhgimi i Fiks Fare rezulton se gjendja aktuale e segmentit është vetëm sistemim. Rruga është e paasfaltuar, është vetëm sistemuar. Ndërkohë në dokumentet e tenderit të parë, rruga duhet të ishte asfaltuar. Shteti shqiptar po shpenzon 11 milionë euro të tjera për t’a asfaltuar këtë segment, i cili duhet të kishte përfunduar.
Pas këtyre përgjigjeve, Fiksi i drejtoi disa pyetje Autoritetit Rrugor Shqiptar;
Përse nuk u finalizua asfaltimi nga firmat që fituan tenderin e parë?
Përse u bë një tender i dytë, pothuajse me të njëjtën vlerë, vetëm për asfaltimin?
Nëse projektin e parë e kanë realizuar punonjësit e brendshëm të ARRSH-së, po projektin e dytë kush e kanë bërë?
Në përgjigje, vetë ARRSH pranon se projekti fillestar, me fondin e vënë në dispozicion, parashikonte ndërhyrje të tipit riveshje dhe sistemim-asfaltim të rrugës ekzistuese. Madje shkruan se “gjatë zbatimit të punimeve, u realizua studimi gjeologo˗inxhinierik nga ana e subjektit zbatues dhe mbikëqyrësit të punimeve, nga i cili rezultoi se duhej ndërhyrje më e thelluar në nënshtresat rrugore”.
I gjithë ai segment është ndërtuar pa asnjë projekt? Si e pranuan raportin e vetë subjektit zbatues? Përgjigja vijon se, është kërkuar marrja e masave inxhinierike me mure mbajtëse, tombino, mbrojte të posaçme e skarpateve, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së përdoruesve dhe vetë trupit të rrugës dhe jetëgjatësinë e saj.
Pra, ato që duhet të ishin parashikuar në projekt, por 10 milionë eurot e para avulluan pa asfalt! Ish drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, shkruan në këtë përgjigje se “për këto arsye, pas rishikimit të projektit, në fazën e parë u realizuan punimet e domosdoshme sipas radhës teknologjike deri në fondin e parashikuar”.
Ndërkohë që plotësimi i punimeve të mbetura do të realizohet me kontratën e re, sërish me vlerë 11 milionë euro. “Në fund është edhe fjalia për të hequr përgjegjësinë nga vetja; ‘Propozimi për ndryshimin dhe përmirësimin e projektit është paraqitur nga mbikëqyrësi i punimeve’.
Por, a firmosën këta zyrtarë për ndryshimin? Më e rëndësishme është propozimi apo vendimi?!
Top Channel
