E gjeti bariu
Viktima mendohet se është vrarë mbrëmjen e së martës, në po atë vend, ku edhe u gjet nga një bari, i cili është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime të mëtejshme
Hetimet
Familja njeh viktimën në morg, ndërkohë që policia nis hetimet për identifikimin e vrasësit
Vajza u cilësua fillimisht si “femra me tatuazhe”, pasi kishte disa të tillë në trupin e saj
Gëzim Ashimi
E kanë vrarë me gurë në fytyrë poshtë një ure në afërsi të Qafë Thanës dhe e kanë lënë të pajetë gjysmë të zhveshur. Vajza e masakruar, e cila rezulton se është nëna e dy fëmijëve dhe e zhdukur prej dy ditësh, mendohet se është viktimë e një krimi pasioni. Fillimisht, kur ende nuk kishte asnjë identitet për të ajo u cilësua nga policia si “femra me tatuazhe”, pasi në trupin e saj ka disa të tillë. Femra e pajetë është gjetur dje pasdite në vendin e quajtur Qafa e Thanës në Pogradec nga një bari i zonës, poshtë një ure, në barishte, rreth 100 metra larg rrugës nacionale. Nga këqyrja e trupit të viktimës është konstatuar se gruaja, e cila u identifikua në orët e vona të natës, është qëlluar me gurë në pjesën ballore dhe anën e pasme të kokës, goditje që mendohet se i kanë shkaktuar vdekjen.
Këqyrja e viktimës
Një zyrtar i Komisariatit të Pogradecit tha se nuk ka asnjë dyshim që gruaja është vrarë, pasi shenjat e goditjes në pjesën e kokës tregojnë për një krim, ku mendohet se është goditur derisa ka humbur jetën. Sipas hetimeve, viktima mendohet se është vrarë mbrëmjen e së martës, në po atë vend, ku edhe u gjet nga një bari, i cili është shoqëruar në polici për të dhënë deklarime mbi këtë fakt. Kufoma është çuar në morg, ku janë konstatuar goditje me gurë në pjesën e ballit dhe pas koke, të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. Në pjesën tjetër të trupit të viktimës, nuk ka shenja dhune dhe nga policia përjashtohet pista e përdhunimit. Sipas të dhënave, që u referohen hetimeve, viktima mund të ketë kryer seks me dëshirën e saj dhe pastaj është vrarë, por femra nuk është përdhunuar, sepse as në pjesën e barkut dhe as në pjesën e këmbëve, nuk konstatohen shenja dhune. Gruaja e vrarë është gjetur pjesërisht e zhveshur, vetëm me një fustan të grisur, por pa mbathje, ndërkohë që në afërsi janë konstatuar një palë kominoshe. Deri në orët e mbrëmjes, kufoma i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore dhe pas përfundimit të saj, policia bëri të ditur të dhëna të reja për përshkrimin e kufomës, me synim identifikimin sa më shpejt të saj.
Tatuazhi me iniciale
Nga këqyrja e ekspertëve të policisë, në trupin e femrës janë vënë re disa karakteristika, të cilat kanë ndihmuar hetimet për identifikimin e saj, pasi në vendin e ngjarjes, nuk u gjet asnjë dokument identifikues për të. Madje, kjo mund të konkretizojë hetimet edhe për identifikimin e autorit të vrasjes. Nga këqyrja e trupit të kufomës rezultoi se ajo është me gjatësi trupore 1 metër e 60 centimetra dhe brune. Në trupin e saj, janë konstatuar disa tatuazhe. Një prej tyre është në gjoksin e majtë të viktimës, në formën e yllit dhe sipas të dhënave mban shkronjat “G. D.”, që mendohet se janë inicialet e ndonjë emri. Policia shtoi se një tjetër tatuazh, në gjuhën kineze, figuron në njërin krah të gruas së vrarë. Sipas hetimeve të para të policisë, është arritur në një konkluzion paraprak se viktima mund të jetë nënë, ashtu siç u konfirmua më vonë, pasi nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se ka kryer lindje, por analiza më të hollësishme janë kryer prej mjekëve ekspertë, të cilët kanë shkuar nga Tirana drejt morgut të Korçës. Ekspertët kanë marrë edhe gjurmë mjetesh, pasi sipas policisë viktima mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe është transportuar me pas në vendin ku u gjet trupi i pajetë.
Femrat e humbura
Policia e Qarkut të Korçës bëri të ditur se, bazuar në këto karakteristika, ka nisur kërkimet dhe verifikimet për femrat që janë denoncuar si të larguara nga familjet, për të arritur së pari identifikimin e viktimës së gjetur në Qafë Thanë dhe më pas për të zbardhur të tjera rrethana e shkaqe të krimit të rëndë. Në ndihmë të policisë lokale kanë shkuar edhe specialistë të Drejtorisë Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët kanë asistuar në hetimet e mëtejshme. Sa i përket Rrethit të Pogradecit, drejtuesit e komisariatit thanë se nuk rezulton ndonjë person i denoncuar si i humbur apo i zhdukur gjatë kohëve të fundit. Sipas tyre, nuk mund të thuhet ende nëse viktima është nga Pogradeci dhe fshatrat e këtij rrethi, apo nga ndonjë zonë tjetër. Në këto kushte, në orët e vona të natës, një familje nga Librazhdi ka telefonuar në polici dhe ka kërkuar të shohë trupin e viktimës, pasi nëna e dy fëmijëve ishte zhdukur që mëngjesin e së martës. E pikërisht nga ky verifikim ka rezultuar që viktima ishte një grua 30-vjeçare nga fshati Ostren, ndërkohë që policia ka vijuar me hetimet, duke marrë në pyetje familjarët e saj, me qëllim zbardhjen e këtij krimi të rëndë.