Rrugë të bllokuara, akse të paaksesueshme dhe banesa të izoluara vijojnë të jenë problematikat kryesore në disa bashki të qarkut Gjirokastër, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave të shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit. Edhe pse situata e përgjithshme po shkon drejt normalizimit dhe moti është i kthjellët, në terren mbeten zona ku qarkullimi është i pamundur dhe ndërhyrja e mjeteve të rënda vështirësohet nga terreni i paqëndrueshëm. Megjithatë, në disa bashki vijojnë problematika të lidhura me rrëshqitjet e dherave dhe bllokimin e rrugëve.
Rruga e Qafës së Çajupit vijon të jetë e bllokuar. Edhe gjatë ditës së sotme, kontraktori dhe Ujësjellës-Kanalizime Gjirokastër do të vazhdojnë punën për hapjen e saj.
Nga Bashkia Gjirokastër do të vijojë puna për largimin e inerteve në lagjet Dunavat dhe Manalat, në qytetin e Gjirokastrës, si edhe në përroin e Sopotit në fshatin Lazarat.
Në fshatin Nokovë, Njësia Administrative Lunxhëri, situata po monitorohet.
Në Njësinë Administrative Zagori, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave, të cilat vazhdojnë ende. Bashkia po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes, pasi formacionet e tokës janë të paqëndrueshme.
Në Njësinë Administrative Memaliaj (fshat), një rrugë e brendshme vijon të mbetet e bllokuar, duke izoluar pesë banesa.
Në Njësinë Administrative Luftinjë, në fshatin Tosk-Martalloz, në fund të lagjes Kërvaçkaj, ka rrëshqitje dherash që rrezikojnë një banesë. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja me mjete të rënda është e pamundur.
Në Njësinë Administrative Krahës, në fshatin Levan, janë regjistruar përsëritje të rrëshqitjeve të dherave.
Sipas planit të bashkisë, edhe sot do të vijojë puna për pastrimin e dherave në pjesën e sipërme të lagjes Sede, në qytetin e Përmetit.
Rruga në fshatin Luar, Njësia Administrative Sukë, është e bllokuar nga dherat.
Po ashtu, rruga e fshatit Psar, Njësia Administrative Ballaban, vijon të jetë e bllokuar nga rrëshqitjet e dherave. Sipas Emergjencave Civile të Bashkisë Këlcyrë, për shkak të rritjes së nivelit të lumit Dëshnicë, fadroma nuk mund të ndërhyjë. Puna për pastrimin e rrugës do të nisë sapo niveli i ujit të ulet.
Akset rrugore Salari–Nivicë dhe Dukaj–Sinanaj janë aktualisht të paaksesueshme për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme dhe prurjeve të shumta.
Gjithashtu, janë problematike aksi Subash–Hormovë (rruga e vjetër) dhe rruga e brendshme e varrezave në Turan, Njësia Administrative Qendër.
Në aksin Tepelenë–Gjirokastër, pranë zonës së Shkallës së Zezë, vijon puna për pastrimin e rrugës; qarkullimi kryhet me një korsi.
Sipas OSHEE-së, me përjashtim të fiderëve Maricaj dhe Miniera 1 në bashkinë Memaliaj, i gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike.
Në Memaliaj, niveli i ujit shënohet në 3.5 metra.
Autoritetet mbeten në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm për monitorimin e situatës.
