Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Shkallnur të Durrësit, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli ka goditur për vdekje babain e tij, Pjetër Kodheli, me thikë në zemër.

Krimi ka ndodhur brenda banesës së familjes, duke tronditur të gjithë komunitetin dhe duke hapur dyshime për gjendjen e autorit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, familjarët kanë pohuar se Marjan Kodheli kishte pasur probleme të vazhdueshme mendore. Ata kanë treguar se dy vjet më parë ai kishte shkuar në spital për një vizitë mjekësore dhe mjekja e kishte rekomanduar që të konsultohej me një psikiatër për të vlerësuar gjendjen e tij psikologjike.

Gjithashtu fqinjët kanë deklaruar para kamerave se autori nuk ishte në gjendje të mirë që pas vdekjes së të ëmës.

Dëshmitë e familjarëve kanë treguar gjithashtu se ai kishte pasur një histori konflikti me babain, por asnjëherë nuk ishte menduar se situata do të përfundonte në një vrasje.

Hetuesit po analizojnë mundësinë që tensionet dhe problemet mendore të Marjan Kodhelit të kenë qenë faktorët kryesorë që çuan në këtë akt tragjik.