Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka caktuar sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Zamir Skënderin, autori i plagosjes me armë zjarri të efektivit të policisë Arsen Toska. 45-vjeçari Skënderi ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Beratit nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që seanca u krye me dyer të mbyllura.

Ka qenë prokurorja e çështjes Marilda Frashëri, e cila pasi ka parashtruar përpara gjykatës rrethanat e ngjarjes, ka kërkuar “cilësimit të ligjshëm” të arrestimit të Skënderit dhe lënien e tij në burg. 45-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje e Punonjësve të Policisë së shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Skënderit ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në një gjendje të rënduar psikologjike të autorit, i cili ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Vetë autori ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë, duke deklaruar se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 majit gjatë shoqërimit të Skënderit nga Fieri për në Kuçovë. Ai dyshohet se i mori armën e shërbimit Arsen Toskës dhe e qëlloi në gjymtyrë. Efektivi ndodhet te Trauma nën kujdes mjekësor dhe pa rrezik jete.