Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia e Bulqizës, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër në fshatin Shtushen.

Pas sinjalizimit për të shtënat, shërbimet e policisë nisën kontrollet në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat, u vu në pranga L. K., 39 vjeç, banues në Shtushen.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik, 4 krehëra dhe 47 fishekë luftarakë.

Sipas hetimeve paraprake, 39-vjeçari kishte përdorur armën duke qëlluar në ajër, duke shkaktuar edhe prishjen e qetësisë publike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.